Një enciklopedi me dyzetë vjet punë dhe atdhedashuri

Nëse Tiranës në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë iu shtuan disa statuja dhe shtatore atdhetarësh, këto ditë profesor doktor Ferid Hudhri i ka dhuruar Shqipërisë një monument kulture. Një monument të pakrahësueshëm në hijeshi dhe madhështi me asnjërin prej atyre që u është prerë shiriti deri më tani. Mrekullia e sapondodhur është botimi i enciklopedisë “Shqiptarët në artin botëror”. Në një botim special me ngjyra prej 480 faqesh paraqiten 1250 piktorë, skulptorë dhe grafistë nga bota ku temë e veprave të tyre janë shqiptarët. Nuk është se shquhemi si komb për modesti, por kur të vlerëson dhe të pasqyron në art vetë bota e kulturuar dhe e përparuar sigurisht që ndjehesh edhe më mirë.

 

Nga Agron Sejamini 

 

Një mrekulli! Nëse Tiranës në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë iu shtuan disa statuja dhe shtatore atdhetarësh, këto ditë profesor doktor Ferid Hudhri i ka dhuruar Shqipërisë një monument kulture. Një monument të pakrahësueshëm në hijeshi dhe madhështi me asnjërin prej atyre që u është prerë shiriti deri më tani. Mrekullia e sapondodhur është botimi i enciklopedisë “Shqiptarët në artin botëror”. Në një botim special me ngjyra prej 480 faqe të formatit 26×33 cm  paraqiten 1250 piktorë, skulptorë dhe grafistë nga bota ku temë e veprave të tyre janë shqiptarët. Për arsye vendi në faqet e saj prezantohen vetëm 1112 riprodhime të zgjedhura nga  mijërat e veprave të artit që janë zbuluar dhe grumbulluar. Pasi të kenë shfletuar këtë enciklopedi të gjithë shqiptarët do të ndjejnë më shumë krenari dhe siguri, do të shikojnë më lart dhe më larg… Nuk është se shquhemi si komb për modesti, por kur të vlerëson dhe të pasqyron në art vetë bota e kulturuar dhe e përparuar sigurisht që ndjehesh edhe më mirë.

 

Në kompleksin muzeal “Bowood House & Garden” në Angli prej shumë vitesh është bërë pronë e tyre kostumi shqiptar i Bajronit. Sapo ngjitesh në katin e dytë të godinës kryesore përballesh me një sipërfaqe të madhe të qelqtë, brenda së cilës është vendosur një manekin me imazhin e Bajronit, veshur me rrobat origjinale, të bardha e të ndritura në ar, që poeti i kishte sjellë nga Shqipëria në vitin 1909. Pra, kanë kaluar më se 200 vjet që poeti i famshëm i romantizmit anglez e veshi në trupin e vet atë kostum, si shenjë respekti dhe adhurimi për racën trimërore të shqiptarëve. Bajroni mund të përgëzohet edhe si frymëzues i temës shqiptare në artin botëror. Kështu, pranë gravurave të C. Ëoodvillet, ku paraqiten tipa malësorësh shkruhet se piktori është nxitur nga përshtypjae Bajronit për kostumin e mrekullueshëm shqiptar, me fustanellë e me rrobat e qëndisura me ar dhe armët e lara me flori.

 

Përfaqësuesi më i shquar i romantizmit në pikturën franceze dhe një nga autorët më të njohur të artit botëror Delakrua edhe pse nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri u bë një nga frymëzuesit e piktorëve romantikë për pikturimin e kostumeve shqiptare. Ndërkohë që veprat origjinale me temë shqiptare të Delakruasë krahas shtëpisë-muze në Paris, gjenden Në Muzeun e Luvrit, në Galerinë Jean-Luc Baroni në Londër, në koleksione të ndryshme në Athinë, etj.

 

Nëse për Delakruanë është shkruar se entuziazmi i tij për kostumin shqiptar mund të krahësohet me atë të Bajronit, për mjeshtrin tjetër francez, Gerome mund të thuhet se me pikturimet e mrekullueshme ai lartësoi më shumë se poeti i famshëm anglez veshjet mahnitëse të shqiptarëve. Pikturat e njohura me temë shqiptare të Geromeit sot rruhen në disa nga muzetë dhe koleksionet me emër në Amerikë, Francë, Angli, Japoni dhe vende të tjera.

 

Fotografi i njohur gjerman Erich Andres që bashkëpunonte me disa nga gazetat kryesore në Gjermani udhëtimin e planifikuar nëpër disa vende të Ballkanit e kufizoi vetëm me turneun nëpër Shqipëri. Ndryshimin e itinerarit të shërbimit ia imponoi natyra dhe mikëpritja e vendasve.  Në fokusin e aparatit të tij u fiksuan peisazhe të natyrës, pamje të qyteteve dhe skena të ndryshme nga rituali jetësor i shqiptarëve në vitet e para të shtetit të ri.

 

Mysafire në Shqipëri ka qenë edhe piktorja japoneze,  Amabe. Në ato tre muaj qëndrim në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër dhe Shkodër ajo realizoi mjaft tablo dhe vizatime. Para se të largohej nga Shqipëria ajo premtoi se me tablotë e saj do të bënte të njohur njeriun dhe botën shqiptare në vendin e saj. Njëzet vjet më vonë, studiuesi Ferid Hudhri nëpërmjet një gazetareje japoneze u kujdes për fatin e atyre pikturave dhe adresën e Amabes. E surprizuar nga ky interesim ajo shkruan një letër ku mes të tjerash shprehet: “Gjatë qëndrimit në Shqipëri ditët ishin plot emocione nga peisazhet e atij vendi të bukur, ndoshta më i bukuri në botë, si dhe nga njerëzit në dejet e të cilëve rridhte gjak i nxehtë, dhe unë e ndjeva veten në pikë kthesën më të rëndësishme të jetës sime. Ishte kjo një përvojë kaq e madhe, saqë munda të them se pikënisja ku unë mbështetem tani dhe që akoma më vë në lëvizje është Shqipëria…”

 

Të na falë lexuesi që do e ndalim këtu përshkrimin e frymëzimeve dhe realizimeve të artistëve të tjerë botërorë që kanë për temë shqiptarizmën pasi ne kaq mundëm të shfletojmë… Vetëm 97 faqe nga kjo enciklopedi gjigande. Më të magjishme janë 403 faqet e tjera! Pasuri dhe ndjesi që do përjetohet nga të gjithë bashkëkombasit fal pasionit, fisnikërisë dhe atdhedashurisë të Ferid Hudhrit.

 

Nuk  e dimë kujt momenti duhet t’i falemi dhe të ndalemi  për ta përshkruar që ndikoi dhe përcaktoi drejtimin e artë të karierrës brilante të këtij studiuesi?!

 

Ndoshta difektit mekanik të atij treni që ndali krejt papritur… Bashkë me vëllain e tij më të madh, Shefqetin, në atë moment ndodhej pranë një kodre. Në atë zymtësi dhe varfëri që dallonte atë jetë të viteve ‘60 si kudo edhe në fshatin e tyre të lindjes Përparim pranë Peqinit, kalimi i atij treni ishte ngjarje. Edhe më e çuditëshme ishte ndalja e tij.

 

Një imazh që nuk u ishte shfaqur as në endërr. Treni kishte ndalur pikërisht mbi një urë dhe pak më tej shfaqej traseja e rrugës së lashtë Egnatia. Shpejt e shpejt Shefqeti i pasionuar pas vizatimit nxjerr një letër dhe skicon me laps atë imazh përrallor. Instiktivisht apo shpirtërisht të njëjtën gjë bëri edhe Feridi, ende pa i mbushur dhjetë vjeç.

 

Ndoshta përcaktues mundet të ketë qenë edhe ajo revistë sovjetike me titullin “Zjarri” që  në katër faqet e saj të brendshme me ngjyra botonte më të mirat piktura ruse dhe botërore. Këtë botim ia sillte vëllait më të vogël çdo fundjave Shefqeti nga Tirana ku vazhdonte shkollën e mesme. Feridi të gjitha ato mesfaqe i koleksiononte deri sa një ditë nuk e lëvizte dot nga vendi… Ndjehej fëmija më i lumtur në botë kur përhumbej me orë të tëra sa në njërën pikturë te tjetra.

 

Disa prej tyre kishte filluar t’i bënte edhe “më mirë” vetë… Edhe më shumë filloi të besonte në këtë të vërtetë kur Shefqeti një ditë i la porosi t’i përgatiste kopertinën e romanit “Ivanhoe” që kishte përkthyer nga rusishtja…

 

Ndoshta përcaktuese mund të ketë qenë ajo pasdite që mësuesi i vizatimit, Vasil Lalo, i dorëzoi çelësin e kabinetit të pikturës kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme të kulturës në Tiranë dhe prej javësh kishte fituar adhurimin dhe besimin e mësuesit të vet. Jo thjesht për edukatën dhe  zellin e shfaqur gjatë orëve të mësimit por për përkushtimin dhe pasionin ndaj pikturës. Nuk dëshironte  gjë tjetër ai djalosh më shumë se atë çelës… Nëpër muret dhe tryezat e atij kabineti veç paisjeve që përdoreshin gjatë orës së pikturës kishte shumë vepra artisike që Feridin e frymëzonin për të pikturuar. Atë çelës e përjetoi edhe si një besim apo garanci të mësuesit të vet se ai do bëhej një piktor shumë i mirë. Pas mbarrimit të shkollës së mesme u emërrua mësues në shkollat tetëvjeçare të Peqinit. Mundi që të çelte edhe një ekspozite personale por jo se u bë piktor i shquar. Dhe shyqyr që nuk u bë! Njëqind herë më mirë për atë dhe për ne të gjithë që  iu përkushtua historisë së artit.

 

Mirënjohës të dy palët për këtë duhet t’i jemi Sofokli Budës, ish pedagogut dhe drejtues në atë kohë pranë Akademisë së Arteve.

 

“Piktorë ka plot! Studio më mirë për histori arti!” – i pati thënë ai gjatë një bashkëbisedimi.

 

Nuk u mëdysh në atë dashamirësi dhe fillon të botojë në gazetën “Drita” shkrime që tërhoqën vëmendjen e krijuesve dhe specialistëve. Aq sa erdhi i natyrshëm emërimi gazetar në kët organ letrar pas përfundimit të studimeve të larta. Mbrojtja e diplomës  me histori kishte përcaktuar të ardhmen e tij.

 

Ndoshta edhe ai shkrim i botuar në gazetën “Drita” më 11 gusht 1974 mundet të ketë qenë përcaktues për atë udhë të mbarë që nisi. Ia vlen t’i kujtojmë edhe titullin “Një ndër skulpturat e para”.  Deri në atë kohë njihej si skulptura e parë shqiptare një punim i figurës së Skënderbeut nga Murat Toptani, realizuar në vitin 1917. Gjatë hulumtimit për këtë atdhetar të shquar, ai zbulon një variant tjetër të po kësaj skulpture që ishte punuar nga i njëjti autor në vitin 1898. Thënë ndryshe ishte rekordi i parë që thyhej nga Ferid Hudhri… U përgëzua kjo arritje edhe nga Dhorka Dhamo, historiane e artit mesjetar që dikur ka qenë edhe pedagogia e tij.

 

Ndoshta edhe ai shkrim i gjatë që përgatiti në gushtin e vitit 1981 ka qenë shumë përcaktues në arritjen e kësaj lartësie që ka prekur Ferid Hudhri…

 

Kishte studiuar dhe shfletuar për ditë të tëra në bibliotekë. Kur u bind se diçka të vyer kishte zbuluar, i sugjeron kryeredaktorit, që të botojë një shkrim për piktorët e huaj që në krijimet e tyre artistike kishin për temë shqiptarët. Me shumë interes e priti këtë propozim edhe bashkëbiseduesi. Ndaj ulet dhe e shkruan. E keqja e vetme ishte se doli shumë i gjatë. Vendosën të thyenin tabunë e atëhershme dhe e botojnë në dy numra. Saktësisht më 9 dhe 16 gusht 1981. Përgëzimet dhe urimet e shumta e bën Feridin në vazhdimësi edhe më të dëshiruar e përkushtuar. Deri sa mbërriti në atë pikë ku rrezikoi shumë. Përgatit një letër në gjashtë gjuhë: anglisht, frëngjisht, rusisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe ua drejton rreth 100  muzeve të botës. U lutej që nëse kishin vepra artistike me temë shqiptare mundësisht t’i dërgonin një rriprodhim të saj dhe sa më shumë informacion për autorin.

 

Nuk kaloi java dhe shkallëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve filluan të ngjiten disa herë në ditë postierët. Të gjitha trokitjet bëheshin te dera e Feridit. Oshëtimë që u dëgjua shumë shpejt edhe atje lart. Filluan ta thërresin për të dhënë sqarime në zyrat e partisë. Edhe pse ato zarfa para se të binin në duart e tij me siguri kontrolloheshin nga ustallarët e sigurimit përsëri mundësia për ndonjë agjenturë të huaj nuk përjashtohej.

 

As u frikësua dhe as u tërhoq! E rëndësishme për të ishte se gjithçka po funksiononte shumë mirë. Të surprizuar që ky bashkëpunim kërkohej nga një vend tepër i izoluar  korektesa dhe gatishmëria e të huajve ishte e jashtëzakonshme. Ndërkohë që prurjet dhe vlerat e kësaj korespondence ishin të pa imagjinueshme. Menjëherë hapi rubrikën e re Feridi në gazetë që nuk u mbyll deri sa ai punoi te “Drita” me okelion “ Të huajt për Shqipërinë”.  Edhe më e vlerësuar ndjehej pala tjetër kur Feridi u dërgonte një kopje të gazetës ku ishte botuar shkrimi që komentonte veprën që ishte ekspozuar në muzeun e tyre.

 

Vite të tëra shkolle kulture bëri Feridi gjatë jetës por  e vërteta shkollë e jetës për të mbetet gazeta “Drita”. Nuk janë pak 11 vite pune në këtë redaksi. Ka qenë një kohë kur në atë godinë të njohur hynte ajka e inteligjencës. Emra që tashmë na shfaqen para syve dhe thellë shpirtit si ikonat e kulturës shqiptare. Edhe t’i shikoje në rrugë të frymëzonte imazhi dhe personaliteti i tyre e jo më të kishe fatin të punoje dhe bashkëbisedoje me ata.

 

Në krahun e majtë të tryezës ku punon, Feriti mban në kornizë një fotografi. Nuk është e përmasave të mëdha, por ia bënë studion dritë edhe kur i mungon drita. Është një fotografi e atyre viteve. Mes Ismail Kadaresë dhe Lasgush Poradecit është Ferid Hudhri.  Jo atëherë por edhe tani që është ngjitur vetë në ato lartësi nuk do ta pranonte Feridi atë rastësi… Ndaj duhet t’i falemi edhe kësaj fotografije që ky profesor i shquar e mban ende si hajmali.

 

Nuk lodhet së shprehuri mirënjohje për Dhimitër Shuteriqin. Ndjehet borxhli para tij sepse i ka mësuar të punojë me skeda. Akoma edhe sot zarfet dhe skedat që ndodhen në to janë të modelit të profesorit të shquar që edhe ai vetë këtë metodë pune e kishte mësuar në Francë.

 

Ndjehet me fat që ka gëzuar simpatinë e Aleks Budës, kryetarit të atëhershëm të Akademisë së Shkencave. Jo vetëm simpatinë por edhe adhurimin dhe vlerësimin për punën e jashtëzakonshme që bënte Feridi. Ishte vetë profesor Buda që sa herë kthehej nga udhëtimet jashtë shtetit i binte si dhuratë një  apo më shumë piktura të autorëve të huaj me temë shqiptare. Emocione të forta ka ndjerë veçanërisht kur i solli nga Vjena gravurën e Selvive të Elbasanit…

 

Në botimin e parë “Shqipëria në veprat e piktorëve të huaj” recencat kishin për autorë pikërisht Aleks Budën dhe Dhimitër Shuteriqin. Parathënia ishte shkruar nga gjeniu i letrave shqiptare Ismail Kadare. Nota maksimale këto për atë punë të vyer që kishte bërë Ferid Hudhri. Është botimi me të cilën mbrojti edhe doktoraturën ku udhëheqës teme kishte skulptorin e shquar Kristaq Rama për të cilën shpreh mirënjohjen dhe konsideratën më të lartë.  Atë botim Feridi e quan librin e jetës. Është pikënisja e kësaj enciklopedie madhështore që kemi në duar…

 

Ka qenë fundi i viteve ‘90 kur kishte bërë gati atë botim me 200 vepra arti. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e teknologjisë së lartë të shtypit kishte shuar çdo shpresë. Shansin e sjell në derë botuesi grek Kristo Jovani i cili në përpjekjet e tij për të zgjidhur disa probleme personale me shtetin shqiptar ofron botimin falas të këtij albumi. Pas një viti me inisiativën e vet ai e boton edhe në anglisht duke e shpërndarë në të gjitha bibliotekat dhe muzetë e Europës. Bashkë me të kishte “botuar” edhe pasaportën e Ferid Hudhrit…

 

Tashmë ai ishte bërë jo vetëm i njohur por edhe i kërkuar në të gjithë botën. Moment që për fat përkoi me ardhjen e demokracisë.

 

Të demokracisë dhe mbarësisë për të bërë realitet këtë kryevepër.

Submit a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>