Shqiptarët në Artin Botëror

Shqiptarët në Artin Botëror

 

 

Meqë Enciklopeditë zakonisht janë vepra të një grupi autorësh, kërkimet dhe studimet e të cilëve mbështeten edhe në botime të mëparshme, hartimi i kësaj Enciklopedie nga një autor i vetëm ngjante si një “mision i pamundur”. Guximin për ta përballuar një ndërmarrjeje kaq të madhe ndërkaq e fitova kur përcaktova titullin: Shqiptarët në Artin Botëror. Vepra tashmë do të konceptohej vecse si një enciklopedi tematike, e cila ndonëse me një shtrirje të madhe kohore, i kushtohej një teme të vecantë. Më pas puna vazhdoi me bindjen se me zbulimet, studimet dhe kërkimet e vazhdueshme prej mbi 40 vjetësh pune të vëllimshme, ishte krijuar vetiu një arkiv i pasur prej më se 1400 dosjesh me mbi 7000 njësi arkivore (fotokopje, shënime, skica, faksimile, riprodhime veprash arti, letra, ditarë etj.), dhe përfundoi edhe falë konsultave, sugjerimeve, referimeve të shumta e ndihmës bujare të miqve e të kolegëve të mi shqiptarë dhe të huaj, disa prej të cilëve kanë bërë kërkime në këtë fushë ose kanë shkruar artikuj për vepra të vecanta.

 

Historia e zbulimit, grumbullimit dhe studimit të veprave me temë shqiptare të artistëve të huaj, ka filluar shumë vite më pas nga koha e krijimit të tyre. Përmes revistës Albania (1899) dhe esesë Shqipëria, kopsht shkëmbor I Europës Juglindore (botuar më 1957), Faik Konica përmend e komenton disa nga ato tablo. Në të njëjtën periudhë Nikolla Lako në Paris botoi kartolinat e para me imazhin e pikturave kushtuar shqiptarëve. Pas riprodhimeve të disa prej veprave më të njohura nëpër gazetat dhe revistat e viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar, u botua ndonjë shënim për veprat me figurën e Skënderbeut, si dhe imazhe të tjera të jetës shqiptare. Me artikujt e Maks Velos, Moikom Zeqos, Hasan Ulqinit për litografitë e Eduard Lirit dhe gravurat e autorëve të tjerë evropianë, filloi të bëhej më e njohur krijimtaria e të huajve për Shqipërinë. Në këtë temë u aktivizuan edhe etnologë, historianë e shkrimtarë të njohur, si: Andromaqi Gjergji, Dhimitër Pilika, Kristo Frashëri, Ramadan Sokoli, Kujtim Buza, Kasem Bicoku, Anastas Kondo, Zef Prela, Vincens Malaj e ndonjë tjetër. Gjatë viteve 70 – 80 të shekullit të kaluar për këtë temë u ndërmorën kërkime të posacme nga autori i këtyre radhëve. Botimi i parë, i ilustruar me rreth 200 vepra arti, ishte ai i vitit 1989, që përfaqësonte një pjesë të studimit të kryer. Në ribotimin anglisht pas një viti (Albania in the world Art, Athens 1990) u shtuan shumë autorë të tjerë dhe rreth 100 riprodhime nga pikturat, grafikat e skulpturat e zbuluara kohët e fundit. Si botime të para, kur ishte shumë e vështirë mundësia e hulumtimeve nëpër galeritë, muzetë dhe koleksionet e huaja, dukej sikur veprat e sjella në libër qenë të “shumta”!…

 

Por numri i vërtetë i punimeve artistike me temë shqiptare ishte shumë herë më i madh. Tablotë e zbuluara deri në atë kohë përbënin vetëm pjesën e dukshme të ajsbergut. Gjithsesi ato dy botime shërbyen si bazë për hulumtime dhe studime të mëtejshme dhe prej tyre u krijua baza për hartimin e kësaj Enciklopedie. Nxitja për vazhdimësinë e kërkimeve për autorin e këtij studimi u përforcua edhe nga vlerësimi dhe mirëpritja e atyre dy librave. Me recensat e akademikëve Aleks Buda, Odhise Paskali, Dhimitër Shuteriqi dhe skulptorit Kristaq Rama, shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Ismail Kadare për librin Shqiptarët në veprat e piktorëve të huaj u shpreh më qartë rëndësia e një teme të tillë, si dhe domosdoshmëria për hulumtime të mëtejshme, edhe më të plota e shteruese. Përmes kërkimeve dhe studimeve shumëvjecare nëpër muze, galeri, arkiva, biblioteka të ndryshme në shumë vende të botës, shfrytëzimi i koleksioneve private brenda dhe jashtë vendit, si dhe ndjekja e vëmendshme e ankandeve nga shitjet e veprave të artit, u grumbulluan të dhëna të mjaftueshme për krijimin e Enciklopedisë së Artit Botëror me temë Shqiptare, ku jepen pra autorët, veprat, ekspozitat, konkurset dhe albumet e artistëve të huaj. Në vend të 118 autorëve të prezantuar në librin e parë me këtë temë (1989), në këtë botim paraqiten mbi 1250 piktorë, skulptorë dhe grafistë, si dhe 1112 riprodhime të zgjedhura nga disa mijëra vepra arti, të zbuluara dhe të grumbulluara deri tani. Të vendosur pranë njëritjetrit, si përfaqësues të vendeve, kohëve, drejtimeve e stileve të ndryshme, artistët dhe veprat e tyre në këtë Enciklopedi përbëjnë një mozaik shumëngjyrësh që i bashkon dhe i harmonizon po ajo temë: Shqipëria dhe shqiptarët nga kohët më të hershme gjer tek ato të fundmet.

 

Për realizimin e kësaj vepre, bashkëpunimi me historianë arti dhe albanologë nga vende të ndryshme të botës ka qenë i domosdoshëm dhe i cmuar. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për Vivien Noakes, Lucia Nadin, Anthea Brook, Angela Valenti Durazzo, Anastas Papastavros, J. Sunderland, Robert Elsie, K. Liley, W. Holmes, Liam Mcdowall, Francesco Altimari, William B. Bland, Martin Moir, P. Doldam, Jon Whiteley, Fani-Maria Tsigakou, Stephen Ongpin, B. Boy, D. Ojavlo, L. B. Maillet, Arkadusz Bentkowski, F. Dearsley, Helga Stein, A. M. Chabour, M. Serullah, Nina Athanassoglou-Kallmyer, Angelos Delivorrias, M. Terris, A. Kamber, Norman Ahmet, Rudiger Pier, E. Gaudioso, E. Manzato, Ives Letourneur. Një pjesë prej tyre nuk kam arritur t’i takoj, por nga informacionet, botimet dhe korrespondenca me ta, kam marrë të dhëna me vlerë, të cilat shpresoj të kenë hapur shtigje për kërkime të mëtejshme.

 

Në mënyrë të vecantë ka qenë i cmuar bashkëpunimi me znj. Patricia Nugee në Londër, e cila më vuri në dispozicion koleksionin e saj të pasur me libra dhe imazhe të autorëve të huaj dhe më krijoi mundësinë e studimit të veprave të Edward Lear-it në koleksionin privat Paul Getty në Wormsley Park; bashkëpunimi me studiuesin Bejtullah Destani, që me kërkimet shumëvjecare nëpër arkiva, biblioteka dhe koleksione të ndryshme në Angli, ka sjellë vazhdimisht informacione dhe të dhëna me shumë interes rreth kësaj teme; bashkëpunimi me znj. Donika Bardha në organizimin e ekspozitës Shqipëria në shekullin XIX (1999) dhe botimin e librit Albania through Art (2007), që i dhanë një shtysën të re hartimit të kësaj Enciklopedie.

 

Midis studiuesve shqiptarë bashkëpunimi me Moikom Zeqon, Fotaq Andrean, Luan Ramën, Shyqri Nimanin, Skënder Blakaj, Gëzim Qendron, Musa Ahmetin, Irakli Kocollarin, Rexhep Gocin, Shpend Bengun, Frederik Stamatin, Afrim Karagjozin, Blerim Luzhën, Artan Shkrelin, Ben Andonin, Leonard Zissin, Elsa Demon, Qerim Vrionin, Zamir Tafilica, Arben Llallën dhe autorë të tjerë, është realizuar përmes shkrimeve të tyre, si dhe sugjerimeve të herë pas hershme. Të dhëna të ndryshme për autorë dhe vepra të vecanta të kësaj Enciklopedie u plotësuan nga kërkimet e shkrimet e Ilia Karanxhës në Firence, të Eqrem Zenelit në Vjenë, Darling Vlorës në Milano, Dionis Qirinxidhit në Athinë, Arben Shirës në Fasano, Thomas Frashërit në Paris, ndërsa përmes koleksioneve me gravura, litografi e krijime të tjera, të grumbulluara nga Fotaq Andrea në Strasburg e Dritan Muka në Kanada, të Bejtullah Destanit në Londër, të Eqrem Zenelajt në Vjenë, të Panajotis Koliomihalis në Athinë, të studiuesit Anastasios Papastavros në Janinë dhe të koleksionistëve të tjerë, besoj se arkivi i imazheve që ilustrojnë zërat dhe artikujt është bërë më i larmishëm. Pasurimi më i plotë i Enciklopedisë u arrit edhe me veprat e artit që ruhen në Fondin e Autorëve të Huaj të Galerisë Kombëtare të Arteve si dhe me imazhet e hershme të librave e albumeve të Fondit Albanologjik të Bibliotekës Kombëtare, të cilat Prof. A. Plasari pati mirësinë t’i bëjë më të prekshme për lexuesit përmes riprodhimeve të këtij botimi. Shpreh mirënjohjen time për gjithë autorët e mësipërm, bashkëpunëtorët më të afërt në përgatitjen e Enciklopedisë. Një nderim i vecantë i takon botuesit grek Kristo Jovani (1916-2011), i cili bëri të mundur realizimin e librit të parë me këtë temë Albania in the World Art, në Athinën e vitit 1990, si dhe zotit Selim Pacolli që e vlerësoi rëndësinë e këtij Projekti dhe krijoi mundësinë e daljes në dritë të punës së gjatë, shumëvjecare, për krijimin e Enciklopedisë Shqiptarët në Artin Botëror.

 

Ferid Hudhri