Si e kanë parë shqiptarin në shekuj të huajt

Pothuajse i gjithë fondi ndërkombëtar i artit pamor kushtuar Shqipërisë në dekada, vite, shekuj, është përgatitur dhe është sot për publikun shqiptar, falë studiuesit të njohur Ferid Hudhri. Një punë titanike, që mbart mbi supe gati 40 vjet hulumtime, e cila është finalizuar në fund të këtij kremtimi të madh të 100-vjetorit të Pavarësisë. Me shumë modesti, enciklopedisti i njohur, ka punuar pa bujë dhe me një skrupulozitet, që mund t’i shkonte veç atij…

 

Nga Ben Andoni

 

 

Sudiuesi Ferid Hudhri asnjëherë nuk kish premtuar për kohën e këtij botimi të fundit, por mes miqsh të ngushtë kish vite që me ndrojtje kish shtuar se do të donte të kishte një libër të veçantë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Duhet ta kenë dëgjuar “pa ndonjë vëmendje” sepse z. Hudhri ka kohë që boton pa zhurmë dhe madje libra prestigjiozë. Por këtë herë, pak ditë para shpalljes së Pavarësisë, ai botoi një nga gjërat më të bukura, që janë botuar ndonjëherë në historinë e artit shqiptar. Duke i bërë nder vendit të tij dhe së dyti, personalitetit të tij si punëtor i vyer. Enciklopedia, që ai po përcjell, është një punë që përmbledh me qindra-mijëra imazhe dhe shpjegime të hollësishme të autorëve të ndryshëm të huaj dhe subjektevetë tyre shqiptare.

 

E nëse shqiptarët i kanë etiketuar shpesh me fjalët më të këqija, për një gjë ndoshta të gjitha këto duhet të kenë shërbyer, pasi në shekuj, kjo kundërshti e shpirtit të tyre dhe fjalëve gjithnjë ngjalli disi kureshti për ta. Mbase këtu duhet të shpjegohet sesi punët për imazhet e natyrës, folkut dhe homo-albanicus, nuk reshtën asnjëherë bashkë dhe me përshtypjet e mira. Për fat, ajo që nisi si pa dashje nga Faik Konica te “Albania”, më shumë se 110 vjet më parë, përbënte punën që Feridi e materializoi një shekull më vonë. Një punë e vërtetë rilindësi, që mbart veç dashurisë dhe një skrupulozitet të rrallë, që në kohën kapitaliste ku jetojmë, është tejet e pagjendishme. Ky autor na sjell në enciklopedinë e tij vetjake, kuruar me një metodologji të saktë shkencore, jo thjesht panoramën e asaj që është punuar në artin pamor për Shqipërinë, por gati një histori të tërë të Shqipërisë përmes imazhit.

 

E megjithatë, si zakonisht, Ferid Hudhri, nuk rendi ta bëjë të njohur punën e vet, qysh pa u kryer, sepse siç ka ndodhur zakonisht me të, me brengën e madhe që e ka shoqëruar për të gjithë kohën: A do ta kishte të mundur ta përfundonte në parametrat që e kishte menduar këtë punë titanike?! Për hir të së vërtetës, jo vetëm që e përfundoi në kohën e duhur dhe me një sakrificë njerëzore e monetare të pashoqe, por më shumë akoma, la një nga dhuratat më të bukura për Shqipërinë në këtë 100 vjetor të shpalljes së Pavarësisë. Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe, kur në këtë punë gjigande, morën pjesë edhe kontribuan si konsulentë edhe etnologë, historianë e shkrimtarë të njohur, si: Andromaqi Gjergji, Dhimitër Pilika, Kristo Frashëri, Ramadan Sokoli, Kujtim Buza, Kasem Biçoku, Anastas Kondo, Zef Prela, Vinçens Malaj e ndonjë tjetër.

 

 

Në fakt, kjo punë titanike, lindi që në fund të viteve ’70, kohë kur autori hap pas hapi poqi këtë vepër të madhe që e mundonte në kokë. Dhe, të 200 veprat e artit, që i botoi në edicionin e parë do të ishin edhe hapi dhe grishja, e cila i shtoi dhe gati dora-dorës edhe 100 punë të tjera, pak muaj më vonë, për të ardhur së fundi në krijimin e fundit, që përmbledhje mijëra imazhe syresh me shpjegimet përkatëse.

 

 

Në fund, më shumë se çdo gjë në këtë punë, do të veçonim dhe dashurinë e autorit për imazhin shqiptar në shekuj dhe kujdesin e veçantë që ka bërë për kurimin e tij. Ndoshta, nëse ai do të bënte zhurmën që bëjnë shumë kinset në vend, mund të kishte tërheqje tjetër. Por ky njeri, serioz, dhe studiues kalibri, e ka ditur mirë atë që di një profesionist i vërtetë: një vepër e mirë flet vetë. Dhe, vepra e këtij njeriu flet vetë në këto ditë. Nuk do shumë për të stisur apo për të thënë të pavërteta. Është enciklopedi gati e parealizueshme më në këto përmasa për kushtet e Shqipërisë. E të mendosh, vetëm nga një njeri i vetëm, që kurorëzon një punë të tillë. Ky, pra, ishte Ferid Hudhri, që tashmë, ka çfarë të shtojë shumë më zëshëm, me miqtë e tij.

 

Gazeta Shqiptare

E Diel, 2 Dhjetor 2012

Submit a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>