Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e artistëve të huaj

“Shqiptarët në artin botëror” e Prof.Dr. Ferid Hudhrit sjell veprat e 1250 artistëve të huaj për Shqipërinë në një botim me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë…

 

Nga Aleksander Meksi 

 

Enciklopedia “Shqiptarët në artin botëror” është një dhuratë e bukur e Prof. Dr. Ferid Hudhri në 100 Vjetorin e Pavarësisë. Është një botim për jubileun e 100 vjetorit prej Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, për të cilin ata duhen lavdëruar së bashku me Autorin.

 

Kjo vepër me përmasa dhe cilësi të lartë nuk është e rastësishme. Është fryt i punës këmbëngulëse kërkimore dhe studimore për më se katër dekada nga ana e autorit. Fillimet qenë modeste; në vitet ’70, disa shkrime në gazetën “Drita” që tërhiqnin vëmendjen e lexuesit sepse ndriçonin anë të panjohura të historisë sonë nëpërmjet veprave në pikturë, skulpturë, dhe grafikë të autorëve të huaj. Pikërisht këto shkrime pa pretendime në paraqitje “lindën” variantin e parë (1989), ku përmblidheshin 200 vepra arti që ishin vetëm një pjesë e vogël e asaj që do të realizonte më vonë autori. Viti 1990 solli një botim tjetër të veprës në gjuhën angleze (Albania in the World Art, Athens 1990) edhe më e plotësuar, me 100 riprodhime të reja në pikturë, skulpturë dhe grafikë. Vetëm këto ishin mundësitë në atë kohë ku diktatura e kishte izoluar Shqipërinë nga bota e qytetëruar si një lager prej njëzetetetëmijë kilometra katrorë. Se veprat ishin shumë herë më të mëdha dhe siç thotë autori në parathënie këto që ishin botuar”… përbënin vetëm pjesën e dukshme të ajsbergut”.

 

Gjithsesi ato dy botime shërbyen si bazë për hartimin e kësaj enciklopedie. Autori kishte fituar përvojën e duhur për këtë sipërmarrje të madhe. Tashmë kishte ardhur kohë tjetër dhe mund të kërkoje, të studioje dhe të hulumtoje kudo në galeri të famshme dhe në muze të ndryshme, që nga Parisi, Roma, Londra, Athina, Nju Jork dhe deri në Petërsburg e gjetkë, duke gjurmuar edhe koleksionet private brenda dhe jashtë atdheut. Një punë kolosale e mund që vetëm autori e di, një përkushtim dhe frymëzim i rrallë për t’i dhënë lexuesit shqiptar një mrekulli.

 

Në vend të 118 autorëve në librin e parë tash më kemi mbi 1250 piktorë, skulptorë dhe grafistë si dhe 1112 riprodhime, 871 zëra e artikuj të zgjedhura nga mijëra vepra arti, një arkiv me 1400 dosje dhe 7000 njësi arkivore – shifra që flasin vetë për atë çka thamë më lart.

 

Kjo enciklopedi përmban 480 faqe të përmasave 26 me 33cm tekst e ilustrime me ngjyra dhe bardhë e zi, sipas vetë origjinalit. Ajo fillon me parathënien ku autori shpjegon përmbajtjen, historikun e kërkimeve, kriteret e përdorura prej tij dhe ndihmën që ka pasur. Më tej vazhdohet me vetë enciklopedinë, përmbajtjen e saj, domethënë zërat dhe artikujt. Për çdo zë autori jep të dhënat kryesore për artistin, veprat që lidhen me vendin tonë dhe vlerësimin e tyre si dhe bibliografinë për të. Pra, gjithkush ka një dritare të hapur për kërkime të mëtejshme për artistin apo veprat e tij. Jepet kështu për lexuesin e interesuar, e jo vetëm për të, një informacion i bollshëm dhe material ilustrues deri diku edhe i panjohur deri më sot. Kjo pjesë është vetë enciklopedia, por autori për një shfrytëzim sa më të mirë të saj na jep edhe aparatin ndihmës të nevojshëm për konsultimin efikas të encikautorëve të përmendur në artikujt dhe zërat e artistëve të tjerë; Indeksi i personave që paraqiten në veprat e artit, si edhe Lista e veprave të artit.

 

Në këtë botim tipik enciklopedik autori, me të drejtë, informon edhe për jetën dhe karrierën artistike të autorëve duke theksuar interesimin dhe përkushtimin që ata kanë pasur ndaj botës shqiptare: natyrës së Sh- qipërisë, njerëzve, personaliteteve dhe ndërtimeve dhe kulturës materiale tonë. Për secilin piktor apo skulptor jepen punimet me subjekt shqiptar që ai ka realizuar, historiku i krijimit dhe ekspozimit të tyre, lëvizjet dhe vendndodhja aktuale.

 

Sigurisht vëmendjen më të madhe të autorëve të huaj e kanë tërhequr figurat historike; që nga Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Ali Pasha, Ahmet Zogu, Aleksandër Moisiu etje por edhe figura bashkëkohore si Ismail Kadare, Nënë Tereza etj.

 

Portretet janë vetëm një pjesë e këtij albumi të madh sepse në të zënë vend edhe peizazhet magjike shqiptare, zënë portretet e njerëzve të thjeshtë me veshjet karakteristike, objektet e kultit dhe kalatë, shkurt- temën shqiptare thuajse e gjejmë në të gjitha variacionet e saj. Ky skaj i Perandorisë Osmane, nuk i ka shpëtuar syrit të artistëve evropian në shekuj. Traditat e çmuara të shqiptarëve, qysh nga kryetrimi, Skënderbeu, zakonet, mënyra e jetesë, paraqitja e veçantë, bukuria fizike kanë qenë burim frymëzimi për ta. Artistët e huaj nuk kanë bërë dallim nga shqiptarët që jetonin në trojet historike dhe ata të diasporës, si të themi arvanitasit dhe shqiptarët e Egjiptit që shkuan atje me Mehmet Aliun. Shqiptari e kishte ruajtur të paprekur identitetin e tij dhe kjo përbënte vlerë. Pikërisht këto cilësi u bënë burim frymëzimi për shkrimtarë dhe artistët figurativë evropianë.

 

Të gjitha këto vepra arti janë njëherësh dhe dëshmi historike nga periudha kur nuk njihej fotografia, ato krahas dëshmive të udhëtarëve janë me rëndësi të dorës së parë për të njohur shoqërinë shqiptare në aspekte nga më të ndryshmet. Dhe kjo Enciklopedi është në këtë mënyrë një ndihmë për studiuesit e kulturës sonë materiale e popullore si dhe asaj shpirtërore.

 

Është gjithashtu me interes, dhe do ishte me dobi, në mënyrë që studiuesit e fushave të ndryshme ti kenë në konsideratë në studimet e tyre, sigurisht duke dalluar teprimet apo shtesat sipas kujtesës apo fantazisë së autorit të veprës, që në të ardhmen të evidentohen të gjitha ilustrimet sipas tematikës, si dhe të mund të përdoren nga të gjithë për studime e botime sipas rregullave mbi të drejtën e autorit.

 

Prof. Dr. Ferid Hudhri, siç thamë, ka bërë një punë kolosale që, me siguri, Ai , më shumë se kushdo do ta çojë edhe më përpara, por e rëndësishme është që edhe të tjerë do të ecin në rrugën që hapi vetë e është ai që ja u a ka mundësuar me kërkimet e tij e sidomos me këtë Enciklopedi. Tashmë shqiptarët punojnë e studiojnë kudo në botë dhe zbulimi i veprave të tilla është me të vërtetë një detyrë fisnike. Sidoqoftë kjo i takon së ardhmes; tani le t’i gëzohemi kësaj vepre të bukur dhe të urojmë autorin për kënaqësinë që na dha. Dhe së fundi duhet përgëzuar botuesi si dhe Mal Pleshti Printing House, një shtypshkronjë shqiptare që e ka realizuar në mënyrë dinjitoze shtypjen e kësaj enciklopedie.

Submit a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>